Forumi i Tiranes Per Liri Ekonomike 2015

Forumi i Tiranes Per Liri Ekonomike 2015

Forumi i Tiranes Per Liri Ekonomike 2015

Forumi i Tiranes 2015

Fondacioni për Liri Ekonomike organizoi të shtunën Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike, me temë “Kërcënimi nga mbirregullimi”. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj mbron reformat dhe ndërhyrjet e qeverisë në treg. Mima: Qeveria e sotme nuk mendon për qytetarin.

Në një skenë të nxehtë politike që po kalon vendi, një debat për ideologjinë e qeverisjes ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të mediave, por dhe të politikës. Një debat ku u shtruan çështje që kanë të bëjnë me sjelljen e shtetit ndaj tregut të lirë, për sjelljen e saj ndaj sektorit privat dhe atij publik, mbi reformat dhe pasojat e tyre është cilësuar i domosdoshëm nga të pjesëmarrësit në Forumin e Tiranës për Lirinë Ekonomike, që u mbajt në Tiranë të shtunën, më 28 mars. Forumi i organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike thithi mendimin e disa prej ekonomistëve më të mirë në vend dhe të huaj, si dhe pati mundësinë të shtrojë për debat filozofinë e së majtës në pushtet dhe së djathtës në opozitë për rolin që duhet të ketë shteti ndaj tregut të lirë. Kërcënimi nga mbirregullimi, a ka presion të qeverisë mbi sektorin privat dhe nevoja e adaptimit të ideve liberale ishin disa nga temat që u shtruan gjatë tri paneleve të këtij forumi. Presidenti i UET, Prof. Dr. Adrian Civici foli mbi shërbimet shtetërore dhe ato publike, duke theksuar se “në konceptin liberal, shteti duhet të jetë sa më i vogël në kompetenca në menaxhimin e ekonomisë”. Sipas Civicit, shteti duhet të ikë nga roli i rregullatorit dhe të kthehet në një rol të ri, atë të garantuesit të shërbimeve. Ndërsa analisti Henri Çili, themelues i Fondacionit për Liri Ekonomike, në një replikë me Veliajn tha se, në rastin e reformës në arsim shteti zbatoi thjesht ligjin, gjë që nuk është një rregullim, por një pararregullim. Ndërkohë Çili shtoi se “jemi në dilemën se çfarë termi të përdorim, si një organizatë ideologjike liberale ndaj një qeverie të majtë dhe përballë këtij fataliteti gjykojmë se qeveria mund të gjykohet nëpërmjet ‘reformizmit’, pra termi që ne kemi zgjedhur është reformizmi”. Çili shtoi se është e pranueshme që shoqëria ka nevojë për reforma, por disa masa janë të papërshtatshme. Duke perifrazuar dy vargje të Xhevahir Spahiut “…urojmë të jetë i bardhë Viti i Ri, por në mos i bardhë, të paktën të jetë gri”, Çili tha se dhe për liberalët nga një qeveri e majtë nuk pritet që ajo të jetë e rrugës së parë, por shpresohet që të jetë e një rruge të tretë, e një mesi të artë. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, i cili moderonte këtë forum, tha ndër të tjera se arsyeja pse lindi nevoja për organizimin e këtij forumi kishte të bënte me shqetësimin e liberalëve për ndërhyrjen e shtetit. Sipas tij “alarm bëhet gjithnjë dështimi i tregut dhe asnjëherë dështimi i rregullave të shtetit. Ne harrojmë që shteti drejtohet nga njerëz dhe veprimet e tyre janë gjithnjë të anshme, edhe kur pretendohet se po mbrohen interesat e publikut”. Ekonomisti Dritan Shano foli për paternalizëm të njëanshëm të qeverisë, që sipas tij po i vë “lakun” privatit ndërsa po fal shtetin”. Institucionet rregullatore shqiptare janë të reja në lojën e ekonomisë së tregut. Ato vetë janë subjekt i ndryshimeve dhe rregullimeve të ndryshme që synojnë plotësimin e kuadrit ligjor mbi të cilin ato operojnë. Shpeshherë, reagimi i tyre është shumë i ngadaltë për të garantuar kushte të barabarta në tregun e lirë. Mënyra se si emërohen njerëzit në institucionet rregullatore, mbikëqyrëse, së bashku me presionin që ushtron politika dhe informaliteti mbi njerëzit e këtyre institucioneve, shpesh krijojnë ngërçe institucionale dhe politike, që ndikojnë në cilësinë dhe kapacitetin e tyre për të promovuar funksionimin e tregut në kushte të konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Besimi i qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë te këto institucione është shumë i vogël”, – tha ndër të tjera ai. Ndërkohë paneli vijoi debatin me Presidentin e Dhomës Amerikane, Mark Crawford, të ftuarin nga Greqia, ekonomistin Theodore Alexiou etj. Ekonomistët vitet e fundit kanë theksuar se është e domosdoshme që të ndërhyhet në rregullimin e tregut me instrumente ekonomike. Forumi për Lirinë Ekonomike/ Mendimi i djathtë për ndërhyrjen e shtetit në treg Mima: Shteti i sotëm nuk ka solidaritet Në Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike të zhvilluar nga Fondacioni për Liri Ekonomike ishin të pranishëm në panelin e dytë përfaqësues të së djathtës, opozitës, ish-zv.ministri Florion Mima dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, ekonomisti Selami Xhepa. Në një replikë me ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, Mima tha se qeveria aktuale po i bën rregullat duke mos menduar për të mirën e qytetarit. “Qeveria po ngopet me lugën bosh, nuk është një qeveri me solidaritet, pasi kjo qeveri po e vërtit çdo reformë, çdo ndërhyrje vetëm rreth një fjale, fjalës shtet”, – tha Mima ndër të tjera. Ai solli shembuj nga qeveria e së djathtës për reforma të ndërmarra për të çliruar konkurrencën, për të respektuar qytetarin. “Reformat merren duke menduar të mirën që sjellin ato te qytetari, nuk merren nga dashuria për shtetin”, – tha ai. Ndërkohë, ekonomisti Selami Xhepa u shfaq si kritizer i reformave rregullatore të qeverisë aktuale, duke theksuar se “dora e padukshme e Smithit është shumë herë më e mirë se ‘dora e fshehtë’ e qeverisë, e cila nuk është transparente”. Më tej Xhepa tha se “në Shqipëri kemi kaluar nga dështimi i tregut në dështimin e qeverisë për t’iu imponuar tregut”. Sipas tij, rregullimi duhet të priret nga arsyeja për të konsideruar rregullimin ekonomik në kuadër të eficiencës së ndërhyrjes sa më pak të qeverisë në treg. Në panelin e dytë diskutuan për nevojën e konkurrencës së lirë dhe rregullimin ekonomisti Dritan Shano, përfaqësuesi i biznesit Pandeli Garo, Grida Duma etj. Veliaj: Duhet dora e shtetit për të rregulluar tregun e shtrembëruar Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ishte i ftuar në panelin e Forumit të Tiranës për Lirinë Ekonomike, ku mbrojti reformat e qeverisë përballë kritikave të mbrojtësve të tezave liberale për një shtet sa më të vogël në rolin e tij në treg. I vënë përballë diskutantëve që mbronin tezën liberale për një ndërhyrje sa më minimale të shtetit në rregullimin e tregut, Veliaj tha ndër të tjera se qeveria që ai përfaqësonte ka ndërhyrë aty ku tregu ka dështuar. Ai përmendi si shembull rastin e reformës së qeverisë në arsimin e lartë, ku si pasojë u mbyllën disa universitete, që sipas tij kishin prishur tregun. “Bota është lodhur nga retorika globale që dora e tregut rregullon gjithçka, u pa se ishte e dukshme nevoja e dorës rregulluese të shtetit në rastin e reformës në arsim, ku kishte universitete që, të lënë në dorë të tregut të lirë kishin prishur cilësinë e arsimit, po dëmtonin një brez të tërë. Në këtë rast, dora e fshehtë e tregut nuk arriti as të seleksiononte konkurrencën e lirë”, – tha Veliaj. Më tej ai sqaroi se nuk duhet keqkuptuar në këtë rast ndërhyrja e shtetit, pasi sipas tij, shteti nuk ndërhyri për ta kthyer në monopol të tij arsimin e lartë, por ka vetëm një rol rregullator për të nxitur cilësinë dhe konkurrencën, ndërkohë që tregu e kishte shtrembëruar këtë konkurrencë. Veliaj më tej theksoi se tregu dhe sipërmarrja kanë nevojë që të shohin tek shteti një garant, ndërsa pranoi se reformat e qeverisë kanë qenë të nxitura dhe të kushtëzuara deri diku dhe nga Banka Botërore, e cila tashmë ka lëvruar 1 miliard dollarë nxitje për ekonominë shqiptarë falë këtyre reformave. Sipas Veliajt, në Shqipëri ka shumë shembuj se më shumë sesa të jemi besnikë ndaj ideologjive, duhet të jemi më praktikë. Ai vlerësoi se ndërhyrjet rregullatore të qeverisë që ai përfaqëson kanë qetë të tilla që kanë ndihmuar tregun, jo penguar atë. Nga ana tjetër, Veliaj ka mbrojtur vendimin e qeverisë për të ndryshuar sistemin e taksave në vend, duke theksuar se taksimi i ri nuk ka qenë “një thyerje në mes e biznesit”. Në të kundërt, sipas tij, “ka ndihmuar shtresën e mesme të ngrihet nga varfëria”. Ndërkohë sipas ministrit, në raport me investuesit dhe biznesin në përgjithësi, çështja e taksave nuk është çështja primare të cilën ata shprehin si problem. Taksimi vjen pas problemeve që ata kanë me burokracinë, korrupsionin, pronat dhe gjykatat. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë Forumit për Lirinë Ekonomike tha se “skema e re e pensioneve i ofron çdo qytetari që paguan më shumë një pension më të lartë, ndryshe nga skema e vjetër, ku nëse deklaroje pagën 35 mijë lekë, ti arrije të merrje pension maksimal”. “Çdo gjë mbi 350 mijë lekë, njerëzit mendonin se ua vidhte shteti. Pra njerëzit bënin një llogari sipas së cilës, zbatimi i ligjit me korrektesë nuk kishte përfitime personale për ta. Heqja e tavaneve për pensionet shpërblen njerëzit me pensione duke nisur nga ky vit , sipas një parimi që, ai që paguan më shumë do të marrë më shumë, ai që paguan më pak, do të marrë më pak. Në të gjitha rastet secili do të marrë hakun e vet. Ky sens drejtësie besoj që ishte një nga arsyet kryesore që patëm një rritje të bazës së njerëzve të siguruar në sigurimet shoqërore, me rreth 17 për qind të totalit vetëm brenda një viti”, – tha Veliaj. Edhe pse Banka Botërore ka kërkuar daljen në pension në moshën 67 vjeç, u negociua që rritja e moshës të vijë gradualisht. “Në Shqipëri çdo vit dalin në pension rreth 30 mijë vetë, kjo do të thotë që çdo vit hapen 30 mijë vende pune për një brez të ri. Në momentin që ne do të rrisnim moshën e pensioneve menjëherë me 3 ose 4 vite, siç u kërkua, ajo që do të ndodhte është që për katër vite e ardhshme, 120 mijë vende pune, nëse do të kishim këtë tampon të pensioneve, 120 mijë të rinj nuk do të kishin akses në këto vende pune që hapen për ta”, – shtoi Veliaj. Një tjetër masë e ndërmarrë nga ministria është pagesa e agjentëve të sigurimeve shoqërore në bazë të performancës së tyre. Nëse një punonjës nuk performon, çka do të thotë që ai nuk arrin të lidhë asnjë kontratë, rrezikon vendin e punës.

https://www.youtube.com/watch?v=zzy0Wo15VvM

https://www.youtube.com/watch?v=AdKsJ-kEk78

http://www.dailymotion.com/video/x2kweiu_forumi-per-lirine-ekonomike-top-channel-albania-news-lajme_news

https://www.youtube.com/watch?v=f6dsf0_H2WM

 

gadmin

Leave a Reply

Close