Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike me temë: “Kur do të vihet kapitalizmi”

Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike me temë: “Kur do të vihet kapitalizmi”

U mbajt sot në Hotel Tirana International Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike me temë: “Kur do të vihet kapitalizmi”, organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike me pjesëmarrjen e filozofit britanik Roger Scruton si folës kryesor.

Në panelin kryesor ishin të ftuar Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregëtisë si dhe Gunther Fehlinger, President i “Europian for Tax Reform”.

Filozofi i së djathtës, Roger Scruton, në fjalën e tij shtroi pyetjet mbi dallimet e socializmit dhe konservatorizmit.

Ai u ndal në argumentet e kapitalizmit dhe atë që përfaqëson ky sistem.

“Një gjë që sistemet tona moderne kanë të përbashkët me sistemin e përshkruar nga Marksi është prona private dhe liria për ta shkëmbyer atë, për ta grumbulluar dhe për ta shitur. Kjo liri nuk është absolute: disa shkëmbime janë të ndaluara me ligj, shumica tatohen, dhe në disa vende taksat mbi trashëgiminë dhe tatimi mbi kapitalin e penalizojë akumulimin e tyre. Megjithatë liria për të bërë marrëveshje mbi pronën private është në zemër të ekonomisë moderne, dhe nëse fjala “kapitalizëm” do të thotë ndonjë gjë sot, ajo tregon pikërisht këtë liri”, tha ndër të tjera Scruton.

Më tej ai bëri një krahasim me antidotin e asaj çfarë kupton kapitalizmi duke e krahasuar me regjimin komunist shqiptar.

“Pa pronën private dhe lirisë për ta blerë atë, për ta grumbulluar dhe për ta shkëmbyer atë, motivi ekonomik shuhet, dhe çdo gjë qëndron në stanjacion, siç ndodhi këtu nën regjimin e Enver Hoxhës. Për më tepër, rritja ekonomike nuk është arritur nga individët që veprojnë të vetëm: është rezultat i përbashkët i një përpjekje bashkëpunuese. Kjo ndodh vetëm kur njerëzit kanë të drejtën e pronës, dhe lirisht mund ta shkëmbejnë atë. Socialistët nuk e pranojnë në zemrat e tyre këtë gjë. Ata e shohin shoqërinë si një mekanizëm për shpërndarjen e burimeve”, u shpreh ndër të tjera ai.

Ndërsa Zoti Basha në fjalën e tij iu referua kryesisht qeverisjes aktuale të së majtës duke e akuzuar që ka tradhëtuar idealet socialdemokrate dhe ka kaluar në kleptokraci duke tentuar disa politika “të djathta” në dukje.

“Në 2 vite e gjysmë qeverisje e majta nuk ka demonstruar asgjë socialiste, këta janë shtyrë 2 km djathtas nesh. Regjimi kleptokrat në politikat koncesionare na e ka kaluar dhe ne. Po bëhen gati të japin me koncesion mbledhjen e TVSh, shtyllën kurrizore. Po bëhen gati është shprehje me delikatesë sepse e kanë përcaktuar kush do ta marrë. Vëllai i kryeministrit përmes një kompania guackë të paktën kështu raporton BIRN. Në 2 vite e gjysmë qeverisje e majta nuk ka demonstruar asgjë socialiste, por ka instaluar në vend një shtet kleptokrat, të inkriminuar. Nuk ka dhe nuk mund të ketë dialog me parimet e totalitarizmit, nuk ka e nuk mund të ketë rrugë të mesme me kletokracinë e krimin.

Thënë kjo ka dhe duhet të ketë dhe kam shpresën se do të ketë një vlerësim transversal demokrat e socialistë. Këta që kemi sot në krye nuk janë as të djathtë as të majtë janë thjesht një grup kleptokratësh të lidhur ne krimin dhe që duhet të ikin bashkë me krimin”, tha ndër të tjera kreu i opozitës.

Gjatë diskutimeve në Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike mbajti një diskutim dhe Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili vuri në dukje klimën jo të mirë për investitorët e huaj në Shqipëri.

Duke treguar një rast konkret për një projekt të madh për një film hollivudian, ai tha se investitorët e këtij projekti ishin gati për të ikur në Bullgari për xhirimet për shkak të problemeve dhe mosqartësisë së klimës që ekziston në Shqipëri. Crawford tha Shqipëria qëndron më poshtë se vendet e rajonit në këtë klimë dhe se duhen gjetur mënyra për të tërhequr kapitalin e huaj këtu.

Si zgjidhje të afërt ai sugjeroi bashkëpunimin me Bursën e Stambollit.


Gjate diskutimeve në panelet e tjera të Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike diskutuan dhe ekspertë të njohur të ekonomisë në vend dhe të huaj, si Lindita Milo, Kryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Silvio Pedrazzi, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, prof. Dr. Adrian Civici, Presidenti i UET, Tomi Kola, ish-drejtor i QKR-së, etj.

gadmin

Leave a Reply

Close