KLUBI I DEBATIT/ STUDENTËT PËR LIRI

KLUBI I DEBATIT/ STUDENTËT PËR LIRI

KLUBI I DEBATIT/ STUDENTËT PËR LIRI

Fondacioni për Liri Ekonomike në bashkëpunim me “Students for Liberty” organizon klube debati me studentët. Kadia: “Ky organizim synon të fuqizojë studentët për të qenë të aftë për të debatuar në publik, për të qenë objektivë në argumentet e tyre, si dhe për të identifikuar ata të rinj që duan të kontribuojnë në shoqëri”

Të rinjtë që kanë pasion politikën apo angazhimin civil kanë gjetur më në fund një mënyrë sesi të përgatisin veten për këtë sfidë. Klubet e debatit, një iniciativë e mbështetur dhe organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike janë tryezat ku ata mblidhen për të mësuar jo vetëm hapat se si të argumentojnë në një debat, por edhe si të jenë objektivë dhe bindës në argumentet e tyre. Nisma vjen si një mbështetje e lëvizjes Europian Student for Liberty dhe merr të njëjtin emër “Studentët për Liri-UET”.

Po si lindi ideja për një organizim të tillë dhe çfarë synojnë tryezat e debatit. Besart Kadia, Drejtor Ekzekutiv i FLE-së, thotë se “Klubi i debatit ka patur rritje të numrit të aplikantëve krahasuar me vitin e shkuar, kur Fondacioni për Liri Ekonomike bashkëpunoi dhe me Students for Liberty, një organizatë ndërkombëtare që promovon idetë liberale në Europë dhe SHBA. Nëpërmjet saj Fondacioni synon të fuqizojë studentët për të qenë të aftë për të debatuar në publik, për të qenë objektivë në argumentet e tyre, si dhe për të identifikuar ata të rinj që duan të kontribuojnë në shoqëri nëpërmjet partive politike pas studimeve të tyre”. Më tej Kadia thekson se këto tryeza do të kenë një pikë kulminantë pas disa muajsh me një konkurs mes studentëve. “Vjet ne organizuam dhe një konkurs kombëtar të debatit me universitete publike dhe private dhe synojmë që të njëjtën gjë të bëjmë dhe këtë vit”, – thotë ai.

Ndërkohë për studentët pjesëmarrës këto tryeza shihen si një investim për të ardhmen e tyre dhe për përmirësimin e performancës së tyre në një debat publik. Ili Gërdupi, student në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, thotë për Mapo-n se këto tryeza trajnojnë studentët si të debatojnë sipas modelit të parlamentit britanik, një model që përdoret nga të gjitha universitetet prestigjioze për debatim mes studentëve. Ai shton se gjatë debateve shtrohen tema ndërkombëtare, por shumë shpesh studentët preferojnë të debatojnë edhe për tema sociale apo politike shqiptare. “Ne ndahemi në dy grupe, në njërën palë janë propozuesit që hedhin një tezë dhe e mbrojnë me argumente dhe nga ana tjetër janë kundërshtarët të cilët kanë argumentet e tyre”. Ili nuk e fsheh entuziazmin e pjesëmarrjes në këto tryeza debati, ku mat “forcën e fjalës” me moshatarët e tij. “Është një mundësi për të përmirësuar aftësitë e argumentimit, për të njohur dhe debatuar tema që nuk do të kisha mundësinë t’i diskutoja në jetën e përditshme, për t’u njohur me studentë të tjerë që u pëlqen përfshirja në aktivitete publike dhe një mundësi për t’u përfshirë në një rrjet mbarë europian për studentët që janë me ide liberale”, -shprehet ai për Mapo-n.

Valbona Mëhilli, studente në degën e Shkencave Politike në UET, gjithashtu e sheh këtë angazhim si një investim për veten në profilin që ka zgjedhur. “Zgjodha të angazhohem në tryezat e debatit për të qenë më aktive dhe për t’u përgatitur në përballjet që do të kem, nëse do të ndjek këtë profil, pra shkenca politike, si me publikun ashtu dhe me mediat. Mendoj se është një mundësi e mirë që UET ofron për ne dhe është një mënyrë që studentët të provojnë veten në këtë fushë për të qenë sa më të përgatitur për të ardhmen e karrierës së tyre”.

Klubet e debatit në UET mblidhen një ose dy herë në javë dhe kanë në përbërjen e tyre studentë jo vetëm nga Universiteti Europian i Tiranës, por dhe nga Universiteti i Tiranës, ajo që ata i bashkon është dëshira për të qenë aktivë. Tryezat janë ndërtuar mbi modelin e Parlamentit britanik, që merret si model në organizimet e tilla edhe në nivel ndërkombëtar, duke i ndarë debatuesit në dy grupe kundërshtare, ku njëra palë mbron me argumente një tezë dhe pala tjetër e kundërshton po bazuar mbi argumente të forta.

gadmin

Leave a Reply

Close