RRETHI LIBERAL I DARDHËS 2014

Krijohet forum vjetor mbi idetë liberale dhe liberalizimin Rreth 30 pedagogë, gazetarë, aktivistë politikë dhe të shoqërisë civile, tri ditë debate në workshop-e A është në rrezik liberalizmi në Shqipëri? Forumi për Lirinë Ekonomike, në takimet liberale të Dardhës u ka dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura nga ekspertët. Në të është promovuar dhe “Çmimi Pashko”, si një nismë për të nxitur debatin liberal. Tridhjetë pedagogë, gazetarë, aktivistë politikë dhe të shoqërisë civile morën pjesë për tri ditë rresht në debate dhe workshop-e rreth temës së këtij viti, “Ideja liberale në Shqipëri, dje, sot, nesër”. A është në rrezik liberalizmi në Shqipëri nga politika e taksave, ndërhyrja e shtetit etj.? Cili është modeli i liberalizmit ekonomik që i përshtatet vendit tonë? Si përballet liberalizmi dhe neoliberalizmi me kritikat? Mbi të gjitha këto pikëpyetje dhe mbi shtrirjen e ideve liberale dhe debatimit të tyre, ekonomistë, politologë dhe gazetarë u mblodhën fundjavën që shkoi në fshatin turistik të Dardhës për të diskutuar, për të debatuar dhe për të bërë një skaner të sjelljes së qeverisë aktuale ndaj tregut. I ideuar si një organizim i përvitshëm në çdo fundjavë të fundit të tetorit nga Fondacioni për Liri Ekonomike, “Rrethi Liberal i Dardhës” bëri takimin e parë, një klub puro ideologjik, ku nuk ishin rezervuar “karriget” vetëm për liberalët, por dhe për kritikët e liberalizmit.

Jo pa qëllim zgjedhja e vendit të takimit ishte një fshat turistik malor, një nga fshatrat më të bukura të vendit, në Dardhë të Korçës, larg qytetit, larg së përditshmes, në një vend ku idetë ndihen në shtëpinë e tyre, krahasimisht me klubin më të famshëm të liberalizmit në botë, “Mont Pelerin Society”, që u mbajt për herë të parë në malin Mont Pelerin në Zvicër, dy vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kur liberalizmi konsiderohej në rrezik, rrezik që mblodhi mbështetësit e ideve liberale nga e gjithë bota. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, tregon se çfarë është ky organizim. “Rrethi Liberal i Dardhës është iniciativa e fundit e Fondacionit për Liri Ekonomike (FLE) për të promovuar lëvizjen dhe qasjen liberale në Shqipëri. Prej disa vitesh tashmë FLE është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar akademikësh, studentësh si dhe institucionesh kërkimore në Angli, SHBA si dhe Austri, të cilat promovojnë ideologjinë liberale në vendet respektive. Në bazë të kësaj eksperience ndërkombëtare, Fondacioni ynë ka krijuar tashmë dhe rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve edhe në Shqipëri me personalitete të njohura të fushave të ndryshme akademike dhe profesionale. Por të gjithë, në një mënyrë ose tjetër, ndajnë të njëjtin këndvështrim për të ardhmen e ekonomisë dhe politikës në Shqipëri”. Ndërkohë Kadia nuk e sheh këtë forum, pavarësisht emrit interesant që ka, si takimin e vetëm të liberalëve, përkundrazi ai vjen në vazhdimësinë e evenimenteve të tjera të ngjashme, siç ishte ai i marsit të këtij viti “Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike”. Ndërkohë, “Rrethi Liberal i Dardhës” do të funksionojë si një institucion vjetor i mbledhjes së liberalëve, pasi siç pranon Kadia, FLE mendon ta shndërrojmë atë në një aktivitet vjetor. Ndërkohë ai shton: “Në pranverën e vitit 2015, Fondacioni do të diskutojë për rrezikun që i kanoset ekonomisë dhe shoqërisë nga mbirregullimi i tregut. Ndërsa javët në vazhdim ne do të shpallim gjithashtu edhe fituesin e çmimit për esenë më të mirë me frymëzim liberal në nder të ekonomistit Gramoz Pashko”. Po pse në këtë moment? A është liberalizmi në rrezik në Shqipëri? Një nga mbështetësit më të hershëm të ideve liberale në Shqipëri, Henri Çili, i cili mbajti dhe fjalën e hapjes, thotë: “Po, është në rrezik, sepse është kulmi i politikave të majta, taksat po rriten, kemi taksën progresive, kulmi i rregullimit, i represionit administrativ, është tërësisht një frymë antiliberale”.

Ndërsa një nga lektorët e Forumit, i ftuar për të mbajtur një diskutim mbi modelin e liberalizmit ekonomik që i përshtatet Shqipërisë, ekonomisti i njohur prof. dr. Adrian Civici, ngriti disa pyetje me rëndësi si, a ka një kulturë liberale dhe frymë të liberalizimit ekonomik, problemet e këtij kontradiksioni, vështirësisë që ndesh fryma liberale etj. Duke pasur parasysh që modelet e kapitalizmit në botë janë përshtatur dhe me mentalitetin dhe traditën e shoqërisë, si p.sh. kapitalizmi anglosakson, ai gjerman apo ai francez, z. Civici mendon se është e nevojshme që të tentohet aplikimi i një modeli që i përshtatet mentalitetit të shoqërisë shqiptare. “Duhet të bëjmë një profil të qartë të marrëdhënies me lirinë individuale me liberalizmin dhe libertarizmin. Në raport me lirinë individuale, pronën private dhe përgjegjshmërisë të gjejmë se nga mbizotërohemi kur propozojmë një model, në mënyrë që të jemi koherentë me mentalitetin tonë”. Në këtë pikëpamje, profesor Civici beson se shkencëtarët duhet të studiojnë shoqërinë, sistemin social, dhe kur flasim për liberalizëm, të shihen mundësitë dhe kapacitetet që kemi ne si individë, si popull. Ekonomisti Selami Xhepa, i ftuar si lektor në këtë aktivitet, bëri të mundur trajtimin e ideve më të fundit të neoliberalizmit, asaj që quhet “complex economy”, dhe theksoi tezën se “jo vetëm shteti ka dështuar, në disa aspekte ka dështuar dhe tregu. Këto dështime të tregut mos t’i mohojmë, t’i pranojmë, t’i integrojmë dhe t’u japim zgjidhje”. Tri ditët e diskutimeve patën dhe mendimin oponent, të sjellë në këtë tryezë nga Odeta Barbullushi, Elvin Gjevori dhe Ervis Ajazaj, të cilët referuan mbi kritikën që i bëhet sot neoliberalizmit dhe ideve liberale. Ndërsa në ditën e fundit të Forumit, përballja e mendimeve erdhi në një “workshop” të përgatitur nga gazetari Alfred Lela, “Si të debatojmë për liberalizmin? Kritika ndaj liberalizimit sot”. Gjatë këtij debati të hapur u ngritën dhe debatuan tri çështje: 1) Aspektet kulturore dhe të traditës lidhur me traditën liberale në Shqipëri. 2) Si mund të përballojmë kritikën ndaj liberalizimit në tri aspekte. 3) Një skaner nga prizmi liberal i temave kryesore të qeverisjes aktuale shqiptare.

Pjesemarresit Dr. Selami Xhepa – ekonomist Alfred Lela – gazetar Akil Kraja – ekonomist Andrea Mano – kimist Arbi Agalliu – ekonomist Besart Kadia – ekonomist, gazetar Besjan Zogaj – politolog Dritan Shano – ekonomist Ervin Salianji – jurist Ervis Lljazaj – politolog Faola Hodaj – ekonomiste Grida Duma – sociologe, pedagoge Haris Vogli – juriste, politologe Henri Çili – politolog Ilir Ciko – ekonomist Kristal Hykaj – ekonomist Klementin Mile – akademik Korab Aliko – inxhinier ndërtimi Luçiano Boçi – politikan Mateo Spaho- ekonomist Orjela Nebiaj – juriste, gazetare Roland Bejko – politikan

Oponentë: PhD. Elvin Gjevori PhD. Ervis Ajazaj

Close